Dhjetëra protestues janë mbledhur këtë mëngjes përpara ambienteve të Kuvendit, me thirrje si “Parlament i krimit” dhe “Parlament analfabet”, në prag të seancës plenare që nisi në orën 10:00.
Tubimi vjen në vijim të protestës së zhvilluar dje, ku u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Edhe sot, pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë.
Sakaq, janë 8 projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë gjatë vitit 2025 të institucioneve të pavarura që mbizotërojnë rendit e ditës në seancën e sotme të parlamentit.
Konkretisht do të shqyrtohen projektrezolutat për Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Departamentin e Administratës Publike, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Prokurimit Publik, Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.
Rendi i ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 30.6.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.6.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.
4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025″.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025″.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025”.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025”.
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025”.
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025”.
10. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025”.
11. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025”
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.




