Heshtja nuk është gjithmonë qetësi. Në shumë raste, ajo bëhet streha ku fshihen dhuna, frika dhe mungesa e reagimit.
Pikërisht këtë të vërtetë vuri në qendër drama “Kur mungon fjala”, e sjellë në skenë nga studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës.
Nëpërmjet historisë së Verës, e reja që përballet me dhunën dhe gjykimin brenda familjes, shfaqja solli për publikun një realitet që nuk është i largët. Në skenë u pasqyrua mënyra se si dhuna ushqehet nga heshtja, nga frika dhe nga pranimi i saj si pjesë e jetës së përditshme.
Vepra u realizua me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej”, nën regjinë e Marsias Lila. Interpretimi i studentëve e afroi edhe më shumë publikun me dramën, duke e kthyer shfaqjen në një thirrje për të mos heshtur përballë një plage sociale që vijon të prekë shumë familje.
Për organizatorët, teatri mbetet një hapësirë ku arti nuk shërben vetëm për të treguar histori, por edhe për të hapur diskutim mbi plagë të shoqërisë. Në këtë rast, studentët u bënë zë i një mesazhi që kërkon më shumë ndërgjegjësim dhe më shumë guxim për të folur.
Përtej skenës, shfaqja la mesazhin e qartë se dhuna nuk bëhet më e vogël kur nuk flitet për të. Përkundrazi, heshtja është ajo që e mban gjallë.



