Nga Jonida Qirko
Gjirokastra — dhe mbarë opinioni publik — u zgjua në zi dhe nën tronditjen e një tragjedie të rëndë. Një ngjarje makabre, ku fatkeqësisht çmimi i papërgjegjshmërisë u pagua me pjesën më të shtrenjtë të shoqërisë sonë: me jetën e një fëmijë.
Ajo që ndodhi nuk është thjesht një aksident apo një rastësi e hidhur. Kjo ngjarje është një këmbane alarmi e tmerrshme për të gjitha ato institucione që vazhdojnë të bëjnë veshin shurdh dhe syrin qorr përballë shkeljeve flagrante të ligjit. Kur ata që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët, zgjedhin të mbyllin sytë përpara paligjshmërisë apo babëzisë së individëve të caktuar, pasojat janë fatale.
Sot, zyrat e shtetit janë të mbushura me njerëz me kostume që shpesh mendojnë vetëm për komoditetin e tyre, ndërsa në rrugë, qytetarët e thjeshtë përballen me pasigurinë e përditshme.
Por, kur vjen puna te fëmijët, fajtorë jemi të gjithë ne si shoqëri. Kemi dështuar t’i mbrojmë. Ne u detyrohemi atyre siguri, u detyrohemi të ardhme, dhe mbi të gjitha, sot i detyrohemi një falje të madhe atij engjëlli që u largua para kohe nga kjo botë.
Na fal që nuk arritëm të të mbrojmë nga kjo klimë papërgjegjshmërie që ka pushtuar hapësirat tona.Kjo botë po bëhet dita-ditës më e egër për zemrat e brishta. Ndërsa për të gjithë ata që me veprimet apo mosveprimet e tyre në zyra luajnë përditë me jetën e njerëzve të thjeshtë, gjykimi moral dhe ligjor duhet të jetë absolut dhe pa asnjë kompromis.
U prehsh në paqe, shpirt i vogël, dhe të qoftë i lehtë dheu i këtij vendi që nuk të mbrojti dot.




