Nga Mentor Kikia
Lexova sot një tjetër shqetësim për shndërrimin e Llixhave të Bënjës në Përmet, në pellgje të mbytura nga algat dhe ku frekuentimi po bie.
Gjithëçka ka ndodhur pas ndërhyrjeve që çuan në rritjen e përmasave të vaskave dhe ngritjen e mureve të larta të betonit.
Përveç shëmtisë së imazhit në raport me natyrën që kanë përrreth, ajo që po ndodh është shkatërrimi i vendburimeve.
Më herët, në faqen e mikut tim Dritan Laçi, me origjinë nga ajo zonë, hasa këto foto dhe këtë shpjegim:
“Burimet e ujit termik vijnë nga poshtë, nuk rrjedhin nga shpatet e malit. Sa më shumë rritet sasia e ujit, rritet edhe pesha mbi grykën e vendburimit, aq më shumë bie presioni i dhe për pasojë edhe sasia e ujit që del nga nëntoka. Ka patur dy ndërhyrje të mëparshme për zgjerimin e vaskave që çuan në përgjysmimin e ujit. Tashmë me zmadhimin, përtej çdo logjike inxhinierike, vaskat e reja janë shndërruar në moçalore sepse sasia e ujit që del është shumë e vogël. Ndërkohë uji ka gjetur të tjera dalje në zonë, duke shpërndarë rrezen e burimeve e duke pamundësuar përdorimin e tyre”.
Nuk di se cili është shkaku i vërtetë.
Por një gjë dihet. Degradimi ndodhi pas ndërhyrjeve më “hekur e beton”.
Po kaq të pa aftë jemi? Apo, kaq harbutë ndaj natyrës?
Po si ia jepni të bëjë punime në një zonë shumë specifike të natyrës një kompanie që ngre vetëm kulla në Tiranë? Po këto punë nuk kanë nevojë vetëm për betoniere, mor të paudhë, por kanë nevojë për studiues gjeologë, hidrologë, sepse me natyrën nuk flitet vetëm më gjuhën e fadromës.
Specialistët duhet të hapin gojën e të thotë mendimin e tyre për këtë çështje!




