Më 14 shtator fillon viti i ri shkollor për të gjitha shkollat 9-vjeçaret dhe të mesme në vend. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shpalosi në një konferencë për shtyp të gjitha masat e planifikuara nga blutë për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe sigurinë personale të nxënësve.
Hita deklaroi se do të jetë detyrë e drejtpërdrejtë dhe prioritare e shefave të komisariateve në mbarë vendin që të kujdesen për sigurinë në shkolla, duke patur parasysh organizimin e shërbimeve policore dhe përforcimin e masave në rast nevoje.
“Shefat e komisarateve do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kontrollin e shërbimeve dhe veprimtarive të tjera policore. Përgjegjësia është konkrete dhe do të jetë e qartë për çdo sektor. Kam kërkuar specialistëve kundër narkotikëve që të zhvillohen kontrollet, për të goditur çdo element që tenton të të ushtrojë veprimtarinë kriminale pranë mjediseve shkollore”,- tha Hita.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nënvizoi edhe masat e marra për sigurinë rrugore pranë shkollave në vend. Për këtë ai tha se forca të shtuara policie do të jenë pranë shkollave në fillim të mësimit, gjatë pushimit të gjatë dhe në fund të procesit mësimor.
“Vëmendje të veçantë u kemi kushtuar dhe sigurisë rrugore, ku pranë shkollave do të kemi prezencë të shtuar policia para fillimit, në fund të mësimit dhe gjatë pushimit të gjatë”,*- tha Hita.
Një aspekt tjetër që Hita tha se policia do të ketë në fokus për të garantuar mirëqenien e nxënësve do të jetë edhe siguria ushqimore, për të cilën nuk do ketë tolerimeve të shkeljeve nga biznesett që tregtojnë pranë shkollave.
“Për sa i përket sigurisë ushqimore, po bashkëpunojmë intensivisht me autoritetin kompetent të ushqimit për të garantuar sigurinë ushqimore në të gjitha pikat pranë shkollave”,- tha Hita.
Në fund të deklaratë së tij për mediat, kryepolici u shpreh optimist se kamerat inteligjente të instaluara në 20 shkolla të Tiranës, në kuadër të projektit “Smart City”, do të ulin ndjeshëm aktivitetin kriminal dhe rastet e dhunës pranë këtyre institucioneve arsimore. Falë inteligjencës artificiale, të inkorporuar në këto kamera, policia do të njoftohet në kohë reale për çdo rrezik potencial që i kanoset nxënësve në shkollë, apo për çdo ngjarje problematike.
“Këtij fokusimi te siguria në shkolla i shtohet edhe një tjetër dimension: teknologjia, kamerat qytetare.
Teknologjia na mundëson të jemi të shpejtë në evidentimin e problematikave, më efikasë në reagim dhe pranë qytetarëve”,- tha Hita.




