Një sherr masiv është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Sarandë, ku disa persona janë përfshirë në një konflikt fizik që ka përfunduar me të lënduar dhe ndërhyrjen e forcave të policisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në lagjen nr. 3, në vendin e njohur si “Ekualipsi”.
Konflikti dyshohet se, ka nisur për motive të dobëta dhe është përshkallëzuar në dhunë, ku personat e përfshirë janë goditur me grushte dhe sende të forta.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë, si dhe efektivë të FNSH, të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën.
Si rezultat i veprimeve të kryera, gjashtë shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Sarandës për verifikime të mëtejshme.
Ndërkohë, disa prej personave të përfshirë në konflikt janë paraqitur në spitalin e qytetit për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë në konflikt.




