Polici, rriten kuotat e pranimit për ”Patrullë e Përgjithshme”, ja se sa…

Jugulajm.net
1 Min Read

Policia e Shtetit njoftoi sot se janë rritur kuotat e pranimit për programin e Patrullës së Përgjithshme në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, nga 300 në 500 vende.

Sipas policisë, në përgjigje të kërkesave të shumta të adresuara nga të rinjtë dhe të rejat, të cilët kanë arritur rezultate të larta në katër fazat e para të konkurrimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur urdhrin për shtimin e 200 vendeve të tjera për ndjekjen e programit të studimeve në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë.

Policia bëri me dije se kandidatët që përfitojnë nga kjo rritje kuotash do të vijojnë procesin e verifikimit të besueshmërisë, e cila është faza e fundit përpara hartimit të listës përfundimtare të fituesve.

Policia e Shtetit theksoi se ka prioritet rinovimin dhe fuqizimin e burimeve njerëzore, duke afruar në radhët e saj të rinj e të reja me përgatitje, integritet dhe motivim për t’iu shërbyer qytetarëve dhe për të ndërtuar një polici gjithnjë e më profesionale.

Share This Article