Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka propozuar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, si mandatar të dytë për kryeministër të Kosovës.
Ky propozim u bë gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, një ditë para skadimit të afatit 10-ditor të presidentes Vjosa Osmani për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re ose për të shpallur zgjedhje të reja.
Kurti tha se propozimi bëhet për shkak të besimit të madh që ka për Konjufcën, por edhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë. Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku”, tha Kurti.
Kurti tha se LVV-ja po rritet vazhdimisht në nivel lokal, duke fituar gjithnjë e më shumë komuna dhe asamblistë gjatë zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, Kurti nuk ka arritur mbështetjen e 61 deputetëve të nevojshëm në Kuvendin e Kosovës për të formuar qeverinë.
“Ky është një tregues se organizata jonë po bëhet alternativa më serioze dhe po gjen mbështetjen e qytetarëve edhe aty ku ndjehet më së afërmi, nëpër komuna. Nga një komunë e fituar më 2013 që ishte kryeqyteti, në tri komuna në vitin 2017, në katër komuna në vitin 2021, tash në vitin 2025 me tri komuna të fituara pa balotazh e 12 komuna të tjera në balotazh e shumë afër fitores. Nga 69 asamblistë të fituar në zgjedhjet 2013, në 127 në vitin 2017, 176 në vitin 2021 edhe 177 në vitin 2025. Kjo është rritja e vazhdueshme e LVV në nivel lokal”, tha Kurti.
Ai bëri thirrje që opozita të votojë qeverinë e udhëhequr nga Konjufca, për të proceduar buxhetin e shtetit nga një qeveri fuqiplotë.




