Operacion i përbashkët me SPAK, Prokurori italian: Grupet kriminale shqiptare më të fuqishmet në Evropë

Jugulajm.net
6 Min Read

SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, 26 maj, një operacion të gjerë kundër një grupi kriminal të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe pastrim parash.

Përfaqësues të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion dhe Antimafies së Barit mbajtwn një deklaratë të përbashkët për shtyp, duke ndarë detaje të operacionit.

Prokurori italian i ka cilësuar grupet kriminale shqiptare, si organizatat me shtrirjen më të gjerë dhe më të fuqishmet më territore të Evropës.

Prokurori italian: Ky operacion na lejon të bëjmë një lloj analize për krimin e organizuar. Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE. Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm.Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri.

Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës. Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet.

Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale. Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’.

Gjatë fjalës së tij, prokurori i SPAK, Vladimir Mara tha se kjo është skuadra e gjashtë hetimore mes SPAK dhe Antimafias së Barit. Sipas tij hetimet të cilat zbërthyer zinxhir e këtij grupi kriminal, kanë nisur që në vitin 2018.

Ai shtoi se tashmë nuk bëhet më fjalë për grupe kriminale më kombësi, por grupe të strukturuara kriminale.

“Nuk do të zgjatemi shumë në detaje. Hetimi ka qenë i përbashkët në vrazhdën e të gjithë atyre hetimeve që nga vitit 2018 dhe sot. Është skuadra e gjashtë hetimore mes SPAK dhe Antimafias së Barit. Janë arritur rezultate konkrete. Kemi dokumentuar episode të trafikimit të lëndëve narkotike. Falë këtij hetimi është zbuluar një vepër shumë e rëndë, që është vrasja e një personi këtu në Itali. Falenderoj kolegët në Shqipëri dhe këtu në Itali. Ne mbetemi bashkëpunues jo vetëm me Antimafian e Barit, por me të gjitha strukturat në Itali. Duhet të kuptojmë që grupet kriminale të Shqipërisë, kanë gjetur mbështetje të grupeve kriminale të këtyre kriminale. Sot nuk mund të flasim për grup me kombësi, por flasim për një grup të strukturuar, kemi fenomene kriminale dhe në këto kushte bashkëpunimi jonë është i domosdoshëm”, u shpreh prokurori Mara.

Ndërkohë sipas drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, janë sekuestruar plot 1 milion euro cash! Theksoi se 10 nga masat e sigurisë janë lëshuar nga Prokuroria e Shkallës së Parë në Tiranë.

“Është kënaqësi për mua që të jem në Bari për të komunikuar punën e përbashkët. Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të koordinuar në forcat e përbashkët. Janë caktuar nga të dyja autoritetet 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave nga Prokuroria e Shkallës së Parë në Tiranë. Goditja e produkteve dhe pasurive që kanë rrjedhur nga aktiviteti i grupeve kriminale.

Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar 1 milion euro para në gjendje cash, po kështu nga Gjykata e Posaçme në Tiranë janë sekuestruar pasuri të tjera, llogari bankare, që dyshohet se janë përfituar nga rrugë kriminale.

Ajo që unë dua të theksoj dhe të vë në dukje sot është vazhdimi i një historiku të disa strukturave të mëparshme hetimore me shtetin italian. Dua të përmend disa operacione të mëparshme “Shpirti”, “Kulmi” dhe “Ura”, ku janë arrestuar persona dhe për 120 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme. Bashkëpunimi me autoritete italiane ka dhënë rezultate të qëndrueshme. Bashkëpunimi i sotëm dhe eksperienca disavjeçare, përbën bashkëpunimin kryesor që SPAK ka pasur gjatë këtyre viteve”, deklaroi ai.

Share This Article