“Vjosa-Fest” ka qenë festivali tre ditor që është organizuar në Përmet fundjavën që sapo lamë pas, duke shënuar eventin e parë kulturor në këtë qytet.
Në të tri mbrëmjet e këtij festivali ndërkombëtar janë sjellë zëra e tinguj të veçantë, duke i shndërruar mbrëmjet e Përmetit në epiqendra të artit dhe emocioneve të veçanta.
Muzikë nga skena ndërkombëtare dhe shqiptare u takuan në të tri mbrëmjet në qytetin e Përmetit. Në këto netë u përjetuam interpretime të veçanta nga emra të dëgjuar të muzikës shqiptare asaj kontemporane, folklorike e klasike.
Ajo çka e bëri të veçantë një prej mbrëmjeve të këtij eventi që shënon edicionin e dytë, ishte vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare. Ka qenë iniciativë e Këshillit Bashkiak të Përmetit, që të vlerësojë Kadarenë me këtë titull të lartë. Titulli i’u dha të bijës së Kadaresë.
“Vjosa-fest” ka mbledhur me qindra banorë të Përmetit e zonës përreth, por dhe turistë të cilët kanë vlerësuar këtë aktivitet që vitalizon kulturën vendase, por dhe shton frekuencën turistike.
Nga ana e tij organizatori i “Vjosa-Fest”, Bledi Mane, bën të ditur se “Vjosa-Fest” tashmë po fiton mjaft popullaritet tek banorët e Përmetit, aq shumë saqë kanë sfiduar edhe kushtet atmosferike në këto ditë duke dalë dhe u shndërruar jo vetëm në spektatorë, por dhe pjesmarrës në të.
“Vjosa-Fest” është festivali i parë i këtij lloji që organizon edicionin e dytë këtë vit në qytetin e Përmetit.



