Policia Kufitare Vlorë ka marrë njoftim nga pushuesit se një gomone ishte futur pranë bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që po pushonin në plazh.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë ndërhyrë dhe kanë konstatuar mjetin lundrues me drejtues shtetasin F.D.
Në përfundim të procedurave administrative, drejtuesit të gomones iu vendos një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj. Gjithashtu, u bë edhe bllokimi i mjetit lundrues.
Policia Kufitare u bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit në zonat e përcaktuara për plazh.




