Detaje të reja kanë dalë nga arrestimi i oficerit të Komisariatit të Sarandës, Edmond Ruçi, i cili mbrëmjen e djeshme u prangos nga agjentët e AMP-së.
Bëhet me dije se arrestimi i Ruçit është bërë për një rast korrupsioni, pasi oficeri i policisë kishte siguruar përgjime për dy vëllezër të dyshuar për aktivitet kriminal.
Sipas News24, pasi mori përgjimet, Ruçi ka takuar nënën e tyre dhe i ka kërkuar para për të mbyllur hetimet dhe për të mos i arrestuar.
Menjëherë pas takimit me policin, nëna kishte telefonuar djemtë për t’u treguar bisedën me efektivin, ndërsa komunikimet mes tyre u regjistruan.
Teksa po dorëzonte përgjimet në Prokurori, Edmond Ruçi dorëzoi pa kuptuar edhe provat kundër vetes, duke mos i hequr ato nga materialet dhe duke dëmtuar veten. Prokuroria, pas zbardhjes së bisedave, urdhëroi arrestimin e oficerit të policisë, ndërsa AMP bëri të mundur ekzekutimin e masës së arrestit.
Kujtojmë se Shefi i Komisariatit të Sarandës dhe 3 inspektorët e Policisë u arrestuan nën dyshimet se kishin marrë ryshfet për të lejuar ndërtimin e beach barit ‘Copacabana’ në Sarandë, por edhe të objekteve të tjera pa leje.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjyqtari Shkëlzen Liçaj caktoi “arrest me burg” për 30 ditë ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron caktoi masën “arrest në shtëpi”.




