Një 46-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Greqi, teksa punonte në një projekt ndërtimi të rrjetit të ujërave të zeza në zonën e Janinës.
Sipas raportimeve të ERT, viktima, baba i dy fëmijëve, ishte duke kryer punime gërmimi kur një masë dheu u shemb dhe e zuri poshtë, duke i shkaktuar vdekjen.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e shpëtimit dhe një ambulancë e EKAB, ndërsa u bënë përpjekje për reanimim me ndihmën e CPR, por pa sukses.
Personi përgjegjës i kantierit është arrestuar në lidhje me ngjarjen, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Në vendngjarje ka shkuar edhe një ekip nga inspektorati i punës në Janinë, i cili po verifikon shkaqet dhe përgjegjësitë për ngjarjen.




