Policia dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit kanë konfiskuar për interes publik një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, në Njësinë Administrative Nr. 4 në Tiranë, pasi u konstatua se ishte ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin.
Bëhet fjalë për një pallat që nuk ka përfunduar akoma plotësisht, dhe deri tani askush nuk banon në të.
Raportohet se ndërtimi është nisur fillimisht nga Mirsim Jellla, i cili sipas burimeve nuk ka mundur ta përfundojë për çështje financash, dhe ka vijuar nga Adriatik Shtëmbari.
Autoritetet bëjnë me dije se, bazuar në Aktin Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi i konstatuar ishte mbi pragun ligjor prej 10%, çka solli aplikimin e masës së konfiskimit për interes publik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa strukturat e hetimit ekonomik-financiar dhe Komisariati Nr. 4 në Tiranë kishin referuar më herët disa raste shkeljesh të lidhura me këtë objekt.




