Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga koha me rreshje, tre banesa në fshatin Memaliaj ngelen ende të izoluara nga pjesa tjetër. Gjendja është e njëjtë ashtu sikurse në muajt janar-shkurt kur furia e rreshjeve të shirave dëmtoi dhe rrezikoi mjaft egzistencën jo vetëm të banesave, por dhe të vetë banorëve të cilët kanë shpëtuar mrekullisht. Fshati Memaliaj, pozicionohet në kodrën mbi qytetin që mban të njëjtin emër. Terreni shtufor mbi të cilat janë ndërtuar banesat, është i paqëndrueshëm, sidomos në pjesën e sipërme të fshatit aty ku dhe ka shkaktuar dëme. Jo vetëm kaq, por dëmet kanë prekur dhe rrugët e brendshme. Për pasojë, lagja e sipërme ka ngelur pothuajse e izoluar ndërkohë që banorët frekuentojnë rrugën alternative që i ngjan më shumë një monopati sesa një rruge një kalimshe. Dëmet ende nuk janë rikuperuar pasi kërkohet një projekt ndërhyrjeje, sondim të terrenit dhe konkluzione paraprake nga specialistët gjeodezë. Banorët që u janë dëmtuar banesat nga ana e tyre rrëfejnë atë çka u ndodhi në ditët me shira.
Bashkia e Memaliajt nga ana e vet pati marrë masat paraprake me evakuimin e familjeve që i’u dëmtuan banesat, si dhe me zgjidhje emergjente të hapjes së rrugëve sekondare në fshat duke çliruar sadopak qarkullimin e këmbësorëve apo dhe të automjeteve. Megjithatë, sipas nënkryetarit të kësaj bashkie Florian Çela, situata qëndron ende e brishtë dhe e pandryshuar. Rrjedhimisht, ai ka kërkuar asistencë teknike dhe ndërhyrje në terren sidomos për rrugët nga ana e qeverisë shqiptare.
Në muajt e dimrit territrori i Bashkisë Memaliaj, ka qenë më i prekuri përsa i përket kohës së keqe çka dhe u reflektua me dëmtime në infrastrukturë dhe banesa. Derimë tani përllogariten 6 banesa të dala jashtë përdorimit në fshatrat Memaliaj, Kallëmb e Vasjar.



