Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, ka folur për atentatin e ndodhur në Lezhë, ku mbetën viktima Kreshnik Mujeci dhe gruaja e tij.
Përmes një deklarate për mediat, Nasufi tha se ndaj Audit Q7 me të cilin udhëtonin dy viktimat, është qëlluar me breshëri armësh zjarri.
Po ashtu, Nasufi deklaroi se është ngritur një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, që po punon për sigurimin e të gjitha provave nga vendi i ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjeve.
“Është konstatuar se gjatë lëvizjes së një mjeti, ai është qëlluar me breshëri armësh. Mjekët kanë konfirmuar për humbjen e jetëve të dy personave, një burrë e një grua. Lajmi është shumë i rëndë. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor, po kryhen të gjitha veprimet operative në terren. Po punojmë intensivisht, po fiksojmë çdo provë në vendngjarje, me qëllim hetimin e plotë, zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë”, tha mes të tjerash Nasufi.




