EMRAT-FOTO/ Aksidenti i merr jetën doktorit dhe vajzës së tij 20-vjeçare

Jugulajm.net
2 Min Read

Një aksident tragjik me pasoja fatale është regjistruar, ku babë e bijë kanë humbur jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në një kanal. Ngjarja ka ndodhur në aksin dytësor Lezhë–Kakarriq, në zonën e njohur si Gocaj. Viktimat janë identifikuar si doktor Anton Keçi, 52 vjeç, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, dhe vajza e tij 20-vjeçare, Bora Keçi, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë orëve të pasdites, por u zbulua vetëm në mbrëmje.

Kanë qenë familjarët që, të shqetësuar nga mungesa e kontaktit, kanë nisur kërkimet, ndërsa më pas shërbimet e policisë kanë lokalizuar automjetin në kanal bashkë me trupat e pajetë. Vështirësia për gjetjen e tyre ka qenë e madhe, pasi zona ku ndodhej mjeti ishte e vështirë për t’u dalluar.

Në një postim ngushëllimi të shpërndarë nga Drejtoria e Burgjeve, bëhet me dije se 52-vjeçari ishte shef i Shëndetësisë në burgun e Lezhës, ndërsa e bija 20-vjeçare po ndiqte gjurmët e tij në Mjekësi pasi ishte studente në vitin e dytë të fakultetit. Anton Keçi ka shërbyer për 6 vite në sistemin penitenciar, thuhet në reagimin e Drejtorisë.

Share This Article