Autoritetet italiane kanë arrestuar tre shqiptarë, mes tyre edhe një grua në Venecia. Ata u arrestuan, pasi kthyen apartamentin e tyre në bazë kokaine.
Ata u zbuluan pas një operacioni policor, i cili nisi pas dyshimeve ndaj lëvizjeve të tyre të shpeshta.
Agjentët pikasën lëvizje të shpeshta në një apartament dhe filluan të monitoronin personat dhe targat.
Gjithashtu ata vëzhguan hyrjet dhe daljet brenda apartamentit, që zgjasnin vetëm 30 sekonda.
Mediat italiane shkruajnë se policia zbuloi se brenda apartamentit kryhej një pazar droge.
Gjatë bastisjes policia arrestoi tre persona, mes tyre edhe një grua e cila ishte partnerja e njërit prej shqiptarëve të arrestuar.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan 70 gramë kokainë, 98% të pastër dhe e paketuar në pako të vulosura me nxehtësi si dhe 2,200 euro në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme që çifti i kishte në shtëpinë e tyre.




