Diaspora nuk është status për përfitim, as Shqipëria lopë për tu mjelë, apo plaçkë për t’u ndarë

Jugulajm.net
7 Min Read

Nga Fejzo Subashi
Diaspora shqiptare është pasuria jonë e madhe historike. Ajo ka mbajtur gjallë kombin në periudha errësire, ka çuar para emrin shqiptar në çdo cep të botës, ka kontribuar me djersë e sakrifica për familjet e tyre, por edhe për Shqipërinë. Populli ynë e njeh, e vlerëson dhe është mirënjohës ndaj kësaj kontribute shekullore. Për këtë arsye, edhe politika shqiptare, përfshirë qeverinë, organizon forma bashkëpunimi që synojnë të ngrenë lart këtë vlerë dhe ta orientojnë drejt së ardhmes. Por, përballë kësaj tabloje të sigurt, të pastër dhe të merituar, shfaqet një fenomen i rrezikshëm: një grup i vogël individësh, që me qëndrimet e tyre pretencioze, lëvdatat boshe dhe inflacionin e vetëvlerësimit, dëmtojnë vetë imazhin e diasporës që duam të nderojmë.
Por pikërisht për këtë arsye, abuzimi me këtë status është i pafalshëm. Sepse sot nuk kemi problem me diasporën. Kemi problem me disa individë që fshihen pas saj.
Mbivlerësimi i vetes dhe nënvlerësimi i vendit Disa prej tyre flasin sikur kanë shpikur rrotën e botës. Si të mos ekzistonin në Shqipëri shkolla, universitete, profesorë, akademikë, profesionistë. Si t’i kishin marrë titujt akademikë në universitete të huaja të kategorisë së parë, kur realiteti tregon se shpesh, pikërisht ata që i kanë marrë këto grada në Shqipëri u japin “ujë në bisht të lugës” kur dalin në konferenca jashtë.
Në Shqipëri ka dije. Ka profesionistë. Ka njerëz me integritet dhe me arritje reale. Ata që jetojnë këtu:
nuk janë inferiorë, nuk janë të pazotë, nuk janë për t’u zëvendësuar me urdhër nga jashtë. Një pjesë e vogël, por e zhurmshme, e kësaj diaspore e kanë kthyer faktin që jetojnë jashtë në një lloj “grade morale”, sikur kjo t’i vendosë mbi shqiptarët që jetojnë në Shqipër. E gjitha kjo kthehet në një retorikë të shëmtuar, ku sakrifica personale e transformojnë në kapital moral për të kërkuar privilegje. Dhe jo privilegje profesionale, por poste, zyra, funksione, madje edhe peshë politike në zgjedhjet në Shqipëri sikur këto t’u takonin me detyrim, vetëm pse jetojnë jashtë. Dhe sillen sikur Shqipëria është një vend që pret të “ndriçohet” prej tyre. Ky nuk është kontribut. Kjo është arrogancë e pastër.
Kush mendon ndryshe, nuk ka problem me Shqipërinë, ka problem me realitetin.
Harresa e atyre që sakrifikuan brenda vendit Këta zëra harrojnë se në Shqipëri qindra mijëra njerëz sakrifikuan po aq shumë, madje shpeshherë më tepër: ata që u larguan me dhunë nga puna për arsye politike; ata që punuan me paga mizerabël për të mbajtur në këmbë administratën; ata që nuk patën kursime për të ikur, por vazhduan shkollat këtu;
ata që morën tituj shkencorë me mund dhe kontribuojnë çdo ditë, pa e tundur diplomën si flamur.
Kjo është po aq sakrificë sa ajo e atyre që jetojnë jashtë.

Sakrifica nuk blihet dhe nuk shitet Po, emigrimi ka sakrifica. Por le të mos bëjmë hipokrizi: Shumica kanë ikur për një jetë më të mirë dhe kjo është legjitime.
Por kjo nuk i jep askujt të drejtën të shpallet “më patriot” se ai që qëndroi.
Dhe respekti i diasporës nuk ka pse të bëhet në kurriz të këtij kontributi të përditshëm, të heshtur, të ndershëm. E drejta për të kontribuar po, por jo për të imponuar Diaspora ka çdo të drejtë të jetë pjesë e administratës dhe jetës publike të vendit. Por jo duke e trajtuar këtë si detyrim të shtetit shqiptar ndaj “sakrificës së tyre jashtë”. Kontributi për vendin nuk blihet, nuk kushtëzohet dhe nuk kthehet në pazare politike.
Më pak akoma kur kërkohet pushtet moral mbi votën dhe jetën politike të Shqipërisë, duke pretenduar kompensim për kontribut që vjen nga larg, ndërkohë që barra kryesore bie mbi ata që jetojnë këtu.
Mësimi nga diaspora e vërtetë: Nuk ka pse të shkojmë larg. Diaspora kosovare gjatë luftës është shembulli i pastër, më i mirëfillti dhe më i përkyerë i kontributit pa kushte. Ata lanë shkollat, hodhën në lojë gjithë kursimet e jetës, lobuan natë e ditë për çlirimin e Kosovës. Dhe sot: nuk kërkojnë poste, nuk kërkojnë tokë, nuk kërkojnë pasuri, nuk rrahin gjoksin,
nuk përçudnojnë sakrificën e atyre që jetuan e kontribuan në Kosovë.
Ky është standardi moral i vërtetë që nderon diasporën, jo ai i zërave që presin shpërblim. Kur diaspora harron edhe prindërit e vet. Është edhe më e dhimbshme kur disa prej tyre heqin dorë nga mbështetja për prindërit, duke i lënë në mëshirë të fatit e shpeshherë si barrë për shtetin. Sepse kontributi nuk fillon te idetë e mëdha politike, por te respekti për familjen tënde. Diaspora duhet të marrë dhe të sjellë më të mirën Shqipëria pret që diaspora të çojë më të mirën e saj në botë. Po aq sa pret që të sjellë mbrapsht për vendin atë që vlen, atë që është konstruktive, atë që e ngrit dhe jo e denigron shoqërinë shqiptare. Sepse as në vendet ku jetojnë të gjithë gjërat nuk janë të përsosura. Konkluzioni: Vlera nuk jepet, vlera fitohet
Rolin dhe vlerën e diasporës nuk e jep asnjë zyrtar, asnjë funksionar, asnjë politikan. E jep vetë diaspora me: modesti, përkushtim, punë të ndershme, dinjitet, dhe me atë çfarë bën realisht për vendin. Siç thotë thënia e madhe:
“Mos shiko çfarë bën vendi për ty, shiko çfarë bën ti për vendin tënd.” Kontributi për atdheun nuk kthehet në tregti. Nuk është monedhë shkëmbimi. Është detyrim moral.

Tiranë më 14.04.2026.

Share This Article