Raportimi i gabuar për protestën në Zvërnec, Drejtori i Përgjithshëm Hita pezullon nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës

Jugulajm.net
2 Min Read

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit reagoi sot duke kërkuar ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin që protestoi në Zvërnec, që në fakt sipas DPPSH-së nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Sipas DPPSH-së “në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë”.

“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, njoftoi policia.

Policia bëri me dije se “lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin”.

“Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.

“Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”, njoftoi policia.

Share This Article