Policia e Shtetit ka njoftuar për një skemë të re mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve SMS, ku qytetarët mashtrohen në emër të platformës shtetërore e-Albania, me pretendimin për pagesën e gjobave të automjeteve. Blutë njoftojnë se mesazhet dërgohen nga numra të panjohur dhe përmbajnë linke të falsifikuara që imitojnë faqen zyrtare të e-Albania. Përmes këtyre linkeve, synohet përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.



Njoftimi i policisë:
Mashtrim i ri me SMS në emër të e-Albania për “gjobat e makinës”
Policia e Shtetit njofton qytetarët se është evidentuar një skemë e re mashtrimi përmes mesazheve SMS, e ngjashme me atë të “Postës Shqiptare”, për të cilën është depozituar kallëzim edhe nga vetë institucioni(Posta Shqiptare), pranë strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit.
Mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga e-Albania për pagesën e gjobave të automjeteve dhe përmbajnë linke të falsifikuara që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare. Këto mesazhe janë mashtrim dhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo me institucionet shtetërore.
Qytetarët këshillohen:
* Të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur
* Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara
* Të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë
Rekomandohet:
* Përdorimi vetëm i faqes zyrtare https://e-albania.al
* Fshirja e menjëhershme e mesazheve të tilla
* Raportimi i çdo rasti pranë autoriteteve.




