Edhe pse tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e fortë e çmimeve të karburanteve pritej të frenonin tregun, shqiptarët kanë vijuar të blejnë automjete me ritme në rritje gjatë muajve të parë të vitit.
Sipas të dhënave të DPSHTRR-së dhe Monitor, muaji mars shënoi një rekord historik, me 7,891 mjete të regjistruara për herë të parë — 15% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ecuria gjatë tremujorit të parë ka qenë përgjithësisht pozitive. Pas një tkurrjeje në janar me 7.6%, tregu u rikuperua ndjeshëm në shkurt, me një rritje prej 20.6%.
Në total, gjatë tre muajve të parë të vitit u shtuan rreth 22 mijë mjete të reja në qarkullim, kryesisht autovetura, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.4%. Pavarësisht shtrenjtimit të ndjeshëm të karburanteve në mars — ku nafta kaloi 220 lekë/litër, benzina arriti në 181 lekë/litër dhe gazi në rreth 75 lekë/litër — pjesa më e madhe e mjeteve të regjistruara (87%) mbeten me motorë tradicionalë.
Ky tremujor shënon gjithashtu nivelin më të lartë historik të regjistrimeve të automjeteve në vend.
Në fund të marsit, numri i mjeteve aktive arriti në rreth 1.07 milionë, nga të cilat afro 860 mijë janë autovetura.
Koreja e Jugut vijon të dominojë si burimi kryesor i automjeteve të importuara, duke zënë 24% të totalit në tremujorin e parë. Ky është viti i tretë radhazi që mban këtë pozicion, falë ofertave më të përballueshme.
Ndërkohë, Kina është ngjitur në vend të dytë për herë të parë, me rreth 18% të tregut, e nxitur kryesisht nga kërkesa në rritje për makina elektrike.
Pas tyre renditen Gjermania me 12.9% dhe Italia me 12.3%.
Automjetet elektrike po fitojnë terren me ritme të përshpejtuara. Vetëm në mars u regjistruan 1,252 mjete të tilla, më shumë se në muajt paraardhës.
Në total, për periudhën janar–mars u regjistruan 2,964 mjete elektrike, shumica autovetura. Marka kineze BYD dominon këtë segment, me mbi 2 mijë regjistrime në tre muaj.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, regjistrimet e makinave elektrike janë trefishuar.
Megjithatë, pesha e tyre në treg mbetet ende modeste: vetëm 13% e regjistrimeve të reja në tremujorin e parë janë elektrike, ndërsa pjesa dërrmuese vijon t’u përkasë mjeteve me naftë dhe benzinë. Në vitin 2025, kjo peshë ishte vetëm 5.7%.




