Reforma territoriale, ja 4 skenarët si mund të ndahen bashkitë e Shqipërisë…

Jugulajm.net
3 Min Read

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u prezantua për herë të parë edhe  puna e plotë e deritanishme e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Prezantimi u bë nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku.

Ja skenarët:

U prezantuan katër skenarë reformimi, secili me vlerësim të detajuar ligjor dhe analizë përputhshmërie me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.

Skenari 1: Konsolidimi Funksional

Bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues.

Avantazhi: Zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues. Rreziku: Mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.

Skenari 2: Konsolidim dhe Decentralizim

Bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt.

Avantazhi: Dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfishtë dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse.

Rreziku: Konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.

Skenari 3: Forcimi i Qarkut

Ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë, funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë.

Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi, shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian.

Rreziku: kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.

Skenari 4: Rajonet Strategjike

Bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së.

Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore.

Rreziku: tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.

Asnjë skenar nuk u prezantua si zgjedhja përfundimtare. Grupit iu shpjegua se procesi kalon nëpër konsultime publike, dëgjesa në territor dhe dokument politik para se të arrihet te paketa ligjore.

Share This Article