Kupa e Botës për ”Skitë Alpine”, Lara renditet e 7-ta

Jugulajm.net
2 Min Read

Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi u rendit në vendin e shtatë në garën e Slalomit Gjigant të zhvilluar këtë të shtunë në Are, Suedi, në ndalesën e parafundit të Kupës së Botës për Skitë Alpine për femra.

Colturi e mbylli garën me kohën totale 2 minuta, 24 sekonda e 91 të qindtat pas dy lëshimeve, duke mbetur 2 sekonda e 50 të qindtat pas fitueses, austriakes Julia Scheib.

Në lëshimin e parë, 19-vjeçarja regjistroi kohën 1:13.60 dhe u pozicionua në vendin e dhjetë, madje përpara kampiones së njohur të skive Mikaela Shiffrin.

Në lëshimin e dytë, Colturi shënoi kohën 1:11.31, duke u renditur e 15-ta në këtë zbritje. Në klasifikimin e përgjithshëm të dy lëshimeve ajo u pozicionua në vendin e shtatë, duke mbetur larg podiumit të pestë sezonal.

Më herët gjatë këtij sezoni Lara ka siguruar katër podiume, dy vende të dyta (Levi dhe Gurgl) dhe dy vende të treta (SHBA dhe Semmering).

Në garën e Slalomit Gjigant triumfoi policja nga Austria, Julia Scheib me kohën 2 minuta 22 sekonda e 41 të qindtat, duke lënë pas amerikanen Paula Moltzan dhe neo-zelandezen Alice Robinson.

FIS Alpine Ski World Cup për femra vijon të dielën me garën e Slalomit, ku Lara Colturi do të zhvillojë zbritjen e parë në orën 09:00 dhe lëshimin e dytë në orën 12:30.

Share This Article