Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar sot në 12 mars sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore në Tiranë, që nuk plotësojnë standardet e sigurisë.
Konkretisht, në magazinën qendrore të Tiranës të kompanisë KMY janë sekuestruar 738 kilogramë mish pule dhe gjoks pule, i cili ishte nxjerrë për shkrirje, por mbahej në kushte që nuk përputheshin me normat e higjienës dhe ruajtjes së ushqimit.
Autoritetet njoftojnë se procedurat për asgjësimin e këtij mishi janë duke u përgatitur, për të parandaluar çdo rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Përveç kësaj, në një baxho tjetër, AKU ka sekuestruar edhe 328.7 kilogramë djathë dhie, të magazinuar në kushte të papërshtatshme higjienike. Inspektorët theksojnë se produktet e sekuestruara mund të shkaktonin probleme shëndetësore, nëse do të konsumoheshin nga qytetarët.
Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas një aksioni tjetër në qytetin e Shkodrës, ku autoritetet bllokuan 104 ton misër blegtoral të importuar nga Serbia, i dyshuar për nivele të larta aflatoksine, një substancë toksike e rrezikshme për shëndetin.
Rasti i Shkodrës u zbulua pasi produkti ishte lëvizur nga magazina pa respektuar procedurat e sigurisë, duke shkaktuar shqetësim për kontrollin e cilësisë së ushqimeve të importuara.
Autoritetet e AKU-së theksojnë rëndësinë e respektimit të të gjitha normave të sigurisë ushqimore dhe paralajmërojnë operatorët e tregut për inspektime të vazhdueshme dhe sanksione të ashpra në rast shkeljeje.




