Sot, grupi parlamentar i Partia Socialiste do të zhvillojë një mbledhje ku pritet të lexohet raporti i pesë anëtarëve socialistë në Këshilli i Mandateve, lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të jenë të pranishëm. Në mbledhje pritet të jetë e pranishme edhe vetë Belinda Balluku.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nëse ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të marrë fjalën gjatë mbledhjes. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama pritet të mbajë një fjalim. Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili ka koordinuar punën me anëtarët e tjerë socialistë të Këshillit të Mandateve për përgatitjen e dokumentit.
Qëndrimi përfundimtar i socialistëve pritet të vendoset sot, për të kaluar më pas në Kuvend, përballë qëndrimit të opozitës të cilët janë pro lejimit të arrestimit të Ballukut.
Në mbledhjen që zgjati rreth 5 orë, ishin të pranishëm kreu i SPAK, Klodian Braho dhe prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan që Ballukut t’i hiqet imuniteti, duke argumentuar se ka intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarë dhe se pozita ndaj sa është rënduar duke rrezikuar deri në 35 vite burg. Por, pavarësisht këtyre fakteve të propozuara nga ana e prokurorëve, socialistët dhe demokratët dolën me dy qëndrime të ndryshme.
Ndërsa PD publikoi raportin e saj për çështjen, mazhoranca pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar mbi çështjen e Ballukut.
Të dyja raportet do i kalojnë Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën e 12 marsit. Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar.




