Zbardhet dëshmia e Gazment Buçpapës, të arrestuarit një ditë më parë, i akuzuar për vrasjen me thikë pas përleshjes të Egli Pashollarit, ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.
Ai ka folur edhe për dinamikën e ngjarjes. “Mora gruan në punë dhe u nisa për në spital, por gjeta rrugën e bllokuar. Unë i rashë borisë, por ai doli nga makina dhe më shau”, ka thënë i dyshuari.
Policia bëri me dije se Gazment Buçpapa u lokalizua në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë. Ai akuzohet për veprat penale “vrasja me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Kujtojmë se 31-vjeçari Egli Pashollari u vra pasditen e 20 shkurtit, në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.
Bashkëshortja e Buçpapës, e cila punon shitëse në një market në afërsi të vendit ku ndodhi krimi, i ka treguar burrit se Pashollari e ngacmonte, por Buçpapa pretendon se shkak ka qenë zënia e rrugës me makinë dhe ofendimet.




