Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar dosjen e tenderit të projektit për ndërtimin e portit në Porto Romano.
Burimet bëjnë të ditur se disa javë më parë, SPAK ka dërguar një kërkesë te institucionet shtetërore për të marrë të gjithë praktikën e ndjekur për tenderin 400 milionë euro.
Hetimi ka nisur për dyshime për shkelje të ligjit të prokurimit dhe për mosrespektim të parimeve të barazisë në garë mes operatorëve ekonomikë.
SPAK po verifikon nëse kriteret ligjore janë zbatuar në mënyrë korrekte gjatë gjithë procesit të tenderimit.
Shpallja e fituesit për projektin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano që ishte premtuar për në datën 31 Janar u shty, teksa kompania qipriote Archiridon ka mbetur e vetme në garë deri tani.
Shtyrja e afatit, nga 31 janar që pati deklaruar ish-ministrja Balluku, në procedurën e prokurimit për ndërtimin e “Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I” deri më 9 Mars u bë pas një kërkese zyrtare të operatorit të vetëm të kualifikuar në fazën finale të garës.
Bashkimi i operatorëve “ARCHIRODON CONSTRUCTION (OVERSEAS) COMPANY LIMITED – DEME DREDGING NV – SOCIETÀ ITALIANA DRAGAGGI S.P.A.” pati kërkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik shtyrjen e afatit për dorëzimin e ofertës, me argumentin se i nevojitej kohë.
Sipas operatorit të vetëm të mbetur në garë, kërkesa për shtyrje të dorëzimit të ofertës ishte “për të paraqitur një ofertë teknike dhe tregtare gjithëpërfshirëse dhe të studiuar me kujdes, duke analizuar të gjitha aspektet e tenderit, përfshirë punimet e përmirësimit të tokës dhe rikuperimit, që kërkojnë kohë të konsiderueshme për koordinim me nënkontraktorët tanë të specializuar dhe furnitorët lokalë, me qëllim vlerësimin e mëtejshëm të alternativave për sigurimin e materialeve dhe shërbimeve si dhe rritjen e përmbajtjes vendore”.
Projekti për Portin e Ri Tregtar në Porto Romano kap vlerën e rreth 392 milion lekë pa TVSH dhe financohet nga buxheti i shtetit./ T.CH.




