Administrata Tatimore ka fshirë ose shuar 453 milionë euro detyrime të prapambetura të bizneseve dhe tatimpaguesve, në zbatim të ligjit për faljen e detyrimeve, të miratuar nga qeveria përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të bëra publike nga administrata, nga kjo skemë kanë përfituar deri më tani mbi 220 mijë tatimpagues, mes tyre biznese të mëdha, biznese të vogla dhe individë.
Tatimi mbi fitimin dhe TVSH-ja kryesojnë listën
Pjesën më të madhe të detyrimeve të fshira e zë tatimi mbi fitimin, me rreth 138.4 milionë euro. I dyti renditet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me rreth 137.4 milionë euro.
Ndërkohë, kontributet e sigurimeve shoqërore përbëjnë rreth 40 milionë euro të shumës së përgjithshme të detyrimeve të shlyera përmes kësaj skeme. Pjesa tjetër përfshin kategori të tjera detyrimesh, mes tyre tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin e mbajtur në burim.
Procesi i faljes dhe shuarjes së detyrimeve vijon të jetë aktiv pranë sporteleve të administratës tatimore dhe përmes platformave elektronike.
Autoritetet u bëjnë thirrje tatimpaguesve që kanë ende detyrime të prapambetura të shfrytëzojnë mundësitë e parashikuara nga ligji. Sipas administratës, kjo nismë synon të lehtësojë barrën e detyrimeve të vjetra, të nxisë pajtueshmërinë vullnetare dhe të kontribuojë në formalizimin e ekonomisë.




