VIDEO/ Greqi, ekuipazhi i tragetit hedh në det 36-vjeçarin i cili vdes

Jugulajm.net
2 Min Read

Një tragjedi ka ndodhur në Greqi në Portin e Pireut, ku një 36-vjeçar ka humbur jetën pasi u hodh në det nga ekuipazhi i tragetit “Blue Horizon”.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës në portin e Pireut nw anijen e cila kishte si destinacion portin e Heraklion, Kretë.

Siç raportojnë mediat greke, 36-vjeçari, i identifikuar si Antonis Karyotis, shihet që po shkon me nxitim të kapë tragetin që sapo do të nisej nga Porti i Pireut drejt Portit të Iraklios në Kretë.

E ndërsa 36-vjeçari ka arritur të ngjitet në katapultë të anijes, dy persona nga ekuipazhi Blue Horizon nuk lejojnë pasagjerin 36-vjeçar që të hipte. Ata e shtynë me duar, edhe pse viktima kishte një biletë për në traget.

Teksa po e shtynin, porta e tragetit nisi të mbyllej dhe 36-vjeçari u rrëzua në ujë e për pasojë humbi jetën.

“Njoftojmë pasagjerët se vonesa e nisjes së anijes është për shkak të një incidenti të ndodhur në portin e Pireut. Anija nuk ka përgjegjësi për incidentin. Faleminderit për mirëkuptimin”, ishte informimi që morën pasagjerët e anijes Eliros aty pranë, ndërsa “Blue Horizon” ishte urdhëruar të kthehej në portin e Pireut.

Nga videoja e parë e zbuluar nga protothema që tregon dy anëtarët e ekuipazhit duke fluturuar nga trageti dhe duke shkaktuar vdekjen e 36-vjeçarit, u bë e ditur se kapiteni dhe anëtarët e ekuipazhit Blue Horizon u arrestuan. Kompania e anijes thuhet se është e vendosur të ndryshojë kapitenin dhe anëtarët e ekuipazhit të anijes për të kryer itinerarin për në Heraklion të Kretës.

Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Familja e viktimës e konsideron vrasje vdekjen e 36-vjeçarit. Ndërkohë autoritetet kanë të sekuestruar edhe biletën që 36-vjeçari kishte rezervuar për linjën e tragetit.

Share This Article