Gjak, një thikë e mbetur në mur dhe një burrë i dërguar me urgjencë në spital. Imazhe që nuk duhet të kenë të bëjnë fare me futbollin, por që u materializuan në dhomën e ndenjes së një çifti pas ndeshjes Atalanta 2-1 Napoli, luajtur të dielën. Gjatë ndeshjes, një tifoz 40-vjeçar i Napolit që jetonte në Capodimonte u godit me thikë nga gruaja e tij, duke kulmuar në një keqkuptim të përgjakshëm.
Sipas raportimeve nga mediet italiane gjithçka nisi kur sistemi VAR (video assistant referee) anuloi një penallti në favor të Napolit, duke shkaktuar reagimin e ashpër të tifozit napolitan. Ai ka shpërthyer me ofendime në drejtim të gjyqtarëve dhe vendimit të marrë, por bashkëshortja 35-vjeçare dyshohet se i ka interpretuar fjalët si të drejtuara ndaj saj.
Debati verbal ka degjeneruar shpejt në dhunë fizike. Gruaja fillimisht ka hedhur sende të mprehta në drejtim të bashkëshortit dhe më pas ka marrë një thikë nga kuzhina, duke e plagosur në pjesën e brinjëve. Edhe pasi ai ka tentuar të kërkojë ndihmë, ajo ka vijuar sulmin, duke hedhur mjete të tjera prerëse, njëra prej të cilave ka mbetur e ngulur në murin e dhomës.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë shmangu pasoja më të rënda. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur në çantën e gruas edhe tre thika të tjera. I plagosuri është transportuar me urgjencë në ‘Ospedale del Mare’, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka marrë disa plagë.




