Nesër më 23 shkurt në orën 10:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, kundër zv kryeministres e njëkohësisht ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku. Kjo e fundit është pezulluar nga detyra, ndërsa SPAK kërkon arrestimin.
Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më parë se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës, duke argumentuar se Balluku mund të hetohej lehtësisht ndërsa është e pezulluar, Partia Socialiste duket se ka ndryshuar qasjen.
Fillimisht, socialistët paralajmëruan se do të prisnin publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por vendimi për thirrjen e Këshillit të Imunitetit erdhi pas një kërkese të Bashkimit Europian, që vuri theksin tek nevoja për një trajtim të shpejtë të çështjes të imunitetit parlamentar, si pjesë e angazhimeve për luftën kundër korrupsionit.
Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i mundësonte SPAK-ut të kërkojë masa të tjera ndaj Ballukut, duke përfshirë arrestin me burg, arrestin në shtëpi apo masa kontrolli në banesë.
Megjithatë, për këto masa, autoriteti i Kuvendit mbetet vendimtar. Për veprime të tjera si “detyrim paraqitje” apo kontrolli i pasaportës, SPAK nuk ka nevojë për autorizim parlamentar.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me ndarjen e votave 4-4, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke konfirmuar se për funksionimin e ministres, është e domosdoshme që ajo të mos ushtrojë detyrën, ndërkohë që vazhdon hetimi.
Balluku është në hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe për disa lote të Unazës së Madhe. Parlamenti pritet të trajtojë raportin për imunitetin në seancën plenare të 5 marsit.




