Dëmet që shkaktuan shirat e mesjanarit janë të pallogaritshme për dhjetë familje pjesë e kësaj lagjeje në zonën veriore të Përmetit. Ata u shpërngulën nga autoritetet në konvikt apo tek të afërmit për të futur kokën ndërkohë që pasuria e paluajtshme ka ngelur e shkretuar, dëmet në elektroshtëpiake apo mobileri kapin shifrën e dhjetëra miliona lekëve. Vetë panorët rrëfejnë atë që ndodhi atë ditë ku vërshimi i ujërave prej lartësive, ishte i paparë ndonjëherë aq sa nuk mbajnë mend as të moçmit.
Ndonëse situata iku bashkë me motin e keq, pasojat që ajo la pas janë edhe më të rënda dhe të paparashikueshme. Masivi që ndodhet në pjesën veriore të lagjes në fjalë është në kufijtë e të paparashikueshmes. Spostimi i tmerrshëm i zonës dhe hendeku mes saj në disa metra, të jep përshtypjen e keqe dhe ndoshta prognozë të kobshme se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Vetë banorët shprehin frikën për atë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt nëse autoritetet nuk ndërhyjnë urgjentisht.
Autoritetet e Bashkisë në Përmet në mungesë të specialistëve gjeodezë, kanë kërkuar ndihmën nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar i cili është duke analizuar situatën në fjalë. Ndonëse konkluzionet ende nuk kanë mbërritur, nënkryetari i Bashkisë së Përmetit Flori Hasani shprehet se kjo gjendje kërkon ndërhyrje të menjëhershme.



