Amnistia Penale, Ministri Lamallari: Mbi 10 mijë persona përfitojnë, 380 lirohen menjëherë

Jugulajm.net
3 Min Read

Ministri i Drejtësisë Lamallari tha në një konferencë për mediat se ka firmosur propozimin për amnistinë penale që shumë shpejt pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Lamallari bëri me dije se nga amnistia pritet të përfitojnë një numër shumë i madh personash, mbi 10 mijë, nga të cilët 380 do lirohen menjëherë.

“Sapo kam firmosur propozimin pas procesit të marrjes së mendimeve nga institucionet përgjegjëse për amnistinë penale, duke e dërguar këtë akt ligjor në Këshillin e Ministrave, dhe besoj shumë shpejt do të kemi miratimin e aktit në mbledhje të qeverisë dhe më pas depozitimin në Kuvend.

Janë një kategori e madhe personash që përfitojnë; sipas shifrave paraprake të përcjella nga organi i akuzës, numri i përfituesve është shumë i lartë, më shumë se 10 mijë shtetas shqiptarë. Konkretisht, 1,280 persona që janë të burgosur aktualisht; 380 përfitojnë lirim të menjëhershëm, 900 të tjerë ulje dënimi. Me ndryshimet e fundit që u bënë në draft, të lëshuara më herët për të shkuar në një akt human në favor të shtetasve shqiptarë, gra dhe të mitur që ndodhen në qeli dhe që nuk duhet të jenë atje, kemi shumë të tjerë që përfitojnë nga shuarja e ndjekjes penale.

Konkretisht, për dy vepra, si ato që lidhen me nenin 134 dhe nenin 291 të Kodit Penal, dhe e fundit që ka të bëjë me drejtimin e automjetit, në total vetëm për vitin 2024 llogariten 7,711 procedime të regjistruara në organin e akuzës. Këto shuhen menjëherë pas miratimit të projektligjit për amnistinë, pa përfshirë këtu persona të tjerë që janë në shërbim në provë.

Kemi një kategori të lartë personash, grupe vulnerabël, duke përfshirë dhe gratë dhe të miturit, që përfitojnë nga ky akt human”, tha Lamallari.

Lamallari theksoi se nuk ka një datë se kur drafti për amnistinë do të merret në shqyrtim e më pas të votohet në Kuvend, por shtoi se si ministër e drejtësisë do të bëjë të pamundurën që ajo të shqyrtohet sa më shpejt.

“Amnistia penale është një përfitim i madh për shumë shtetas të dënuar apo në paraburgim, për fat të keq disa prej tyre edhe shumë gjatë, them së shpejti për të mos vendosur një datë. Është procedurë, pasi të depozitohet në kuvend deri në miratimin në seancë plenare nuk varet nga ne. Por si ministër i Drejtësisë do bëj të pamundurën që të shqyrtohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministri i Drejtësisë.

Share This Article