Muaji shkurt ka nisur me kushte të paqëndrueshme atmosferike në të gjithë vendin. Meteorologia Ladja Porja bëri të ditur se reshjet e shiut do të jenë të pranishme gjatë gjithë muajit, ndërsa përmirësimi i motit pritet vetëm në javën e fundit të shkurtit.
Sipas saj, shkurti do të karakterizohet nga temperatura relativisht të larta për stinën, por i shoqëruar me vranësira dhe rebeshe shiu. Ditët më problematike për sa i përket intensitetit të reshjeve do të jenë e mërkura dhe e diela, ndërsa fundjava në tërësi parashikohet e paqëndrueshme.
Qytetet më të rrezikuara nga reshjet intensive janë Shkodra, Lezha dhe Durrësi, si edhe zona e jugut, përfshirë Vlorën, Sarandën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën. Gjithashtu, nesër priten stuhi të forta ere në zonat bregdetare, të cilat mund të sjellin probleme në trafikun detar.
Temperaturat do të mbeten të larta, me vlera minimale rreth 4°C dhe maksimale deri në 18-19°C. Reshjet parashikohen të jenë prezente deri rreth datës 20 shkurt, ndërsa përmirësimi i motit pritet në ditët e fundit të muajit, kur do të ketë stabilizim dhe mungesë reshjesh.




