VIDEO/ Arrestohen 3 persona në Gjirokastër, posedonin dokumente dhe certifikata false

Jugulajm.net
2 Min Read

Policia e Gjirokastrës këtë të premte ka vënë në pranga tre persona, pasi përdornin dokumente false. Në kuadër të operacionit të koduar “Autenticiteti”, në pranga kanë rënë A. G., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, V. V., 45 vjeç, banues në fshatin Nepravishtë, dhe E. P., 38 vjeç, banues në Sarandë.

Sipas raportimeve nga policia, nga hetimet e kryera janë sekuestruar 20 dokumente.

“Kishte siguruar certifikata false, për 16 kamionët në subjektin e tij, që me to të kryente transport ndërkombëtar mallrash, arrestohet 51-vjeçari. Në pranga dhe 2 shtetas që posedonin 4 dokumente shkollore false.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve të përfshirë në falsifikim të dokumenteve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Autenticiteti”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit A. G., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, V. V., 45 vjeç, banues në fshatin Nepravishtë dhe E. P., 38 vjeç, banues në Sarandë.

-Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. G., administrator i një subjekti për transport ndërkombëtar mallrash (për të tretë dhe/ose me qira), kishte pajisur 16 kamionët e subjektit, me certifikata të dyshuara të falsifikuara, nëpërmjet të cilave autorizohej kryerja e kësaj veprimtarie tregtare. Gjatë kontrollit në subjekt, u gjetën dhe u sekuestruan 16 dokumentet;

-Nga kontrolli në banesat e 2 të arrestuarve të tjerë, u gjetën në secilën, 1 diplomë dhe 1 listë notash, të dyshuara të falsifikuara. 4 dokumentet u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Vijon hetimi, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Share This Article