Përfundon seanca në GJKKO për çështjen Meta-Kryemadhi, SPAK paraqet aktakuzën dhe provat

Jugulajm.net
2 Min Read

Seanca gjyqësore për çështjen Meta–Kryemadhi, e zhvilluar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka zgjatur rreth 6 orë

Gjatë seancës, prokurorët e SPAK kanë vijuar paraqitjen e aktakuzës dhe provave të bashkëngjitura në dosje, duke lexuar një pjesë të konsiderueshme të materialit hetimor. Procesi është shoqëruar edhe me debate mes palëve.

Pas përfundimit të paraqitjes së aktakuzës dhe provave nga ana e SPAK, në seancat e ardhshme pritet që fjala t’i kalojë mbrojtjes.

Ilir Meta u mor i pandehur për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Ndërsa, Monika Kryemadhi u mor e pandehur si e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka bashkuar në një dosje të vetme çështjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA të ish-LSI-së, si dhe hetimin pasuror ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Share This Article