Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka folur këtë të martë në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë maratonë, në pjesën ku po diskutohet rendi i ditës lidhur me Kodin e ri Penal.
Ministri Lamallari ka thënë se pse, sipas ministrisë që ai përfaqëson, do të duhet të trajtohet si vepër penale parkimi dysh.
“Një tjetër trajtim është edhe parkimi në rresht të dytë, i cili trajtohet si vepër penale, vetëm në ato raste ku pengohet seriozisht qarkullimi i mjeteve të emergjencës. Dëmet do të ishin kolosale nëse për parkimin e dikujt do të krijohej një situatë e paprecedentë. Mund të ketë fatalitete lidhur me këtë vepër, mund të krijojë pengim të Policisë së Shtetit dhe sfidë ndaj sigurisë publike. Edhe nga statistikat në Policinë e Shtetit kemi arritur në këtë përfundim,” – tha ministri Lamallari.




