Nga Avokat Arben Llangozi
Rasti i Irena Gjokës nuk është përjashtim, por pasqyrë e vërtetë e një sistemi të kalbur nga brenda. Në drejtësinë shqiptare nuk kemi më institucione që shërbejnë qytetarët, por një grup njerëzish me pushtet, që sillen si bandë e organizuar dhe që kanë uzurpuar sistemin për interesa personale. Ata marrin vendime në emër të Republikës, por veprojnë kundër qytetarëve dhe kundër vetë ligjit.
Gjyqtarë dhe prokurorë që duhet të ishin garantë të drejtësisë, sot janë kthyer në mburojë të njëri-tjetrit. Kur bëjnë krime, i mbulojnë. Kur kapen, i relativizojnë. Kur ekspozohen publikisht, heshtin. Askush nuk mban përgjegjësi, sepse sistemi është ndërtuar për të mos ndëshkuar veten.
Pikërisht për këtë arsye, Irena Gjoka do të mbrohet nga drejtësia. Jo sepse është e pafajshme, por sepse është pjesë e të njëjtit rreth. Një dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën e një sistemi që ka humbur çdo ndjenjë turpi. Ata nuk kanë frikë nga ligji, sepse e kontrollojnë. Nuk kanë frikë nga e vërteta, sepse e mbytin. Kanë frikë vetëm nga ekspozimi publik.
Kjo nuk është drejtësi. Kjo është kapje. Kjo është arrogancë pushteti. Kjo është një kastë që sillet si e paprekshme, që gjykon qytetarët me ashpërsi, por mbron veten me heshtje dhe pazare. Dhe sa herë që një rast si ky mbyllet pa ndëshkim, mesazhi është i qartë: drejtësia nuk ekziston për ta, por vetëm për ata që nuk kanë pushtet.
Nëse kjo shoqëri pranon që edhe ky rast të mbulohet, atëherë problemi nuk është vetëm Irena Gjoka. Problemi është një sistem që ka vendosur të mbijetojë duke gënjyer, duke u mbrojtur dhe duke u tallur me qytetarët shqiptarë.
Pa dyshim që në sistem ka ende elementë pozitivë dhe profesionistë me integritet, por sot është fat i rrallë të përballesh me ta. Përgjegjësia për këtë gjendje është e turpshme, sepse një pakicë e ndershme është lënë në hije nga një shumicë që ka zgjedhur heshtjen, konformizmin dhe mbrojtjen e paligjshmërisë. Kur drejtësia varet nga fati dhe jo nga ligji, sistemi ka dështuar.




