Qeveria shqiptare pritet të miratojë në ditët në vijim një amnisti penale, e cila do të sjellë lirimin e menjëhershëm të qindra personave nga burgjet dhe ulje dënimi për qindra të tjerë.
Nisma është bërë publike nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve, ku ai e cilëson këtë vendim si një akt të bazuar në humanizëm, drejtësi sociale dhe praktika evropiane të drejtësisë penale.
Sipas vlerësimeve paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga zbatimi i amnistisë rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa rreth 900 të tjerë do të kenë ulje dënimi.
Ministri thekson se numri real i përfituesve pritet të jetë edhe më i lartë, pasi në këtë skemë përfshihen edhe persona që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale apo nga masat alternative të dënimit.
Lamallari bën me dije se kategoritë përfituese përfshijnë të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
“Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe siguri afatgjatë”, shprehet ministri, duke nënvizuar se drejtësia evropiane nuk matet me numrin e të burgosurve, por me aftësinë për të parandaluar krimin dhe për të ulur përsëritjen e tij.
Në mesazhin e tij, Ministri i Drejtësisë pranon se sistemi penitenciar shqiptar përballet me probleme serioze, veçanërisht me përdorimin e lartë të paraburgimit. Aktualisht, në burgjet e vendit ndodhen rreth 5 mijë persona, ku më shumë se gjysma janë të paraburgosur. Kjo situatë, sipas Lamallarit, është ngritur vazhdimisht si shqetësim nga Këshilli i Evropës dhe partnerët evropianë të Shqipërisë.
“Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, por dobësi e sistemit”, thekson ai, duke shtuar se amnistia synon të ulë popullimin në burgje me rreth 7%, të përmirësojë kushtet e trajtimit dhe rehabilitimit, si dhe të garantojë më shumë respekt për dinjitetin njerëzor.
Nga ana tjetër, ministri është i prerë në lidhje me kategoritë që nuk përfitojnë nga kjo amnisti. Të dënuarit për krime të rënda, korrupsion dhe vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore përjashtohen automatikisht, ashtu si edhe personat e hetuar nga SPAK apo të gjykuar nga GJKKO.
“Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime. Ka kritere ligjore të qarta dhe transparente”, deklaron Lamallari.
Në përfundim, ai thekson se kjo amnisti nuk duhet parë si falje e shkeljes së ligjit, por si një shans i dytë për ata që mund të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.
“Ne besojmë në një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin dhe që udhëhiqet nga standarde demokratike evropiane”, përfundon ministri, duke e cilësuar këtë nismë si një mesazh pozitiv në mbyllje të vitit.




