Nga Fejzo Subashi
Nëse dikush do të na pyeste sot: “A është Shqipëria në krizë?”. “Përgjigjja nuk do të ishte as “po” e prerë, as “jo” bindëse. Shqipëria ndodhet në një gjendje paradoksale, ku zhvillimi dhe degradimi ecin paralelisht, ku progresi shihet me sy, por nuk ndihet me shpirt.
Nga njëra anë, realiteti flet për; ndërtime, rrugë, autostrada, tunele, projekte madhore infrastrukturore dhe një shtet që formalisht duket se funksionon. Statistikat flasin dhe raportojn për ekonomi me rritje të qëndrueshme për vitin 2025, ndërsa buxheti për vitin 2026 parashikohet me theks social dhe me rritje të ndjeshme, në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve. Negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian janë hapur dhe avancojnë me ritme të kënaqshme, duke e vendosur Shqipërinë më afër familjes europiane sesa kurrë më parë.
Por nga ana tjetër; përditshmëria e qytetarit tregon një tablo krejt tjetër.
Korrupsioni është shndërruar në një fenomen horizontal dhe vertikal: nga qeliza më e vogël e administratës, deri në majat e pushtetit dhe “trurin” e shtetit. Ligji ekziston, por drejtësia perceptohet si selektive dhe vështirë ta arrish atë. Institucionet funksionojnë, por besimi tek ato është i ulët, për të thënë që nuk ekziston fare.
Në këtë realitet, ajo që lë më shumë për të dëshiruar dhe shuan çdo shpresë është roli i opozitës. Ky është ndoshta dështimi më i madh politik i këtyre viteve tranzicion, apo në shtetin pluralist. Opozita shqiptare fatëmirësisht ekziston de jure dhe de facto, por fatëkqësishtë mungon si alternativë reale, apo si mundësi dhe shpresë për ndryshim. Ajo është e fragmentuar, pa objektiva të qarta dhe pa vizion.
Premtimet e saj për protesta madhështore, për rrëzim pushteti, për “shporrje me kuç e maç” të Qeverisë Rama dhe mazhorancës më jetëgjatë, përsëriten vazhdimisht, por mbeten vetëm fjalë. Realiteti i premtimeve dhe veprimi praktik i saj, shpesh i ngjan fabulës së Mezhgorallinjve: Të cilët në darkë bëjnë shkopinjtë gati, se do vrasin e presin Peshtanakëto, në mëngjes i thyejnë vetë.
Shoqëria shqiptare dhe biznesi janë po aq kontradiktorë. Shajnë qeverinë, ankohen për sistemin, por nuk identifikohen realisht me asnjë alternativë. Një pjesë nuk ikën plotësisht, por as nuk qëndron me bindje. Ikën në Europë, por shpesh as atje nuk gjejnë qetësi.
Kjo nuk është krizë urie dhe as krizë mbijetese. Është një krizë besimi, përfaqësimi dhe kuptimi. Shqipëria nuk është një vend që po shembet, por një vend që po ngec. Ajo të jep përshtypjen e një shoferi që mbanë këmbën në gaz, por gomat e makinës xhirojnë në baltë. Fatëkeqsisht për një vend ngecja është, jo vetëm më e keqija, por më e rrezikshme se kriza.
Prandaj, përgjigjja është e qartë: Ne jemi në krizë sepse kemi mësuar të jetojmë me të. Ne nuk bëjmë dot pa kriza. Më e keqja është se ne pa ndërkombëtarët, jo vetëm që nuk e zgjidhim dot krizën, por mbetemi mot e jetë me krizën. Në këtë far feje dhe ferexhe ku gjendemi dhe jemi katandisur vështirë të pranojmë , e pa mundur të themi me plot bindje se jemi në krizë, ashtu si mund të themi me po aq krenari dhe siguri se ne nuk jemi në krizë… Hajde merre vesh dhe pastaj bëji derman dhe jepi dum …




