Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar të TikTok, ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë për POLITICO, duke theksuar se qeveria ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me platformën pas negociatash të gjata.
Rama u shpreh se ishte “i kënaqur me rezultatin” e bisedimeve me përfaqësuesit e TikTok dhe paralajmëroi se në javët ose muajt në vijim do të prezantohet një plan konkret për publikun shqiptar. Sipas tij, reagimi i kompanisë ishte befasues, pasi ndryshe nga pritshmëritë, platforma tregoi gatishmëri për dialog dhe adresimin e shqetësimeve të ngritura nga autoritetet shqiptare.
Ndalimi i TikTok u vendos në mars 2025, pas rreth një viti diskutimesh mbi abuzimin online dhe dhunën digjitale, veçanërisht te të rinjtë. Vendimi erdhi pas një sërë incidentesh të rënda, përfshirë një ngjarje fatale pranë një shkolle, e lidhur me një konflikt të nisur në rrjete sociale. Megjithatë, masa u kritikua ashpër nga opozita dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat e cilësuan si censurë dhe kufizim të shprehjes politike online.
Rama i hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se ndalimi shërbeu kryesisht për të ndërtuar një marrëdhënie të re me TikTok dhe për të vendosur mekanizma sigurie që më parë mungonin. Kryeministri përjashtoi gjithashtu mundësinë që Shqipëria të mbështesë kufizime të përgjithshme për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, një debat i hapur në disa vende të BE-së, duke e quajtur këtë qasje “jo funksionale”.




