Qeveria ka miratuar kriteret për trajtimin me ushqim të policëve, ja cilat janë…

Jugulajm.net
2 Min Read
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot kriteret dhe procedurat e reja për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë angazhimeve në punë, duke përcaktuar qartë kategoritë e përfituesve dhe normat ditore të ushqimit.
Sipas vendimit:
• Punonjësit e policisë përfitojnë një vakt drekë kur shërbimi zgjat 8 orë dhe tri vakte kur janë të angazhuar në gatishmëri, situata emergjente, zgjedhje ose shërbime që tejkalojnë orarin normal të punës.
• Tre vakte ofrohen gjithashtu për punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, studentët dhe kursantët gjatë trajnimeve shumëditore.
• Për shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në vend, shtetasit shqiptarë të rikthyer, si dhe personat e ndaluar ose të arrestuar, ushqimi ofrohet pa pagesë gjatë procedurave verifikuese.
Ushqimi do të sigurohet në mensa ose përmes shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes. Kur kjo nuk është e mundur, punonjësit kompensohen financiarisht me 500 lekë për një vakt drekë ose 900 lekë për tri vakte, me vlerat që do të indeksohen çdo vit sipas inflacionit të INSTAT-it.
Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme, ndërsa vendimi i vitit 2017 për trajtimin me ushqim shfuqizohet. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me zbatimin e normave financiare që fillon më 1 janar 2026.
Share This Article