Në fund të mandatit, Dumani: SPAK institucion i konsoliduar, optimist për të ardhmen dhe…

Jugulajm.net
4 Min Read

Drejtuesi në largim i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani zhvilloi sot një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Një ditë pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Klodjan Brahos, Dumani theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK-ut, por një detyrë që duhet të përfshijë të gjitha institucionet dhe vetë shoqërinë.

Altin Dumani u shpreh se gjatë hetimeve janë detyruar që të venë para përgjegjësisë edhe kolegë të tyre në sistemin e drejtësisë.

“Korrupsioni është një fenomen, një plagë që prek të gjitha institucionet. Fatkeqësisht na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë penale edhe kolegët tanë. Në 6 vite SPAK, numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi patur policë, funksionarë të lartë policie, të cilët madje janë deklaruar fajtor, si pjesëtar të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale, janë marrë të pandehur si anëtar të grupeve të strukturuar kriminale apo edhe organizatave kriminale. Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori. Madje kemi edhe një çështje që një gjyqtari i është atribuuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale.

“Policia e Shtetit, pavarësisht kësaj pjesë që na ka rezultuar e implikuar në vepra penale, Policia e Shtetit në masën absolute patjetër janë djem dhe vajza të cilët janë të përkushtuar në punën e tyre dhe meritojnë vetëm respekt.  Institucioni ynë ka bashkëpunuar dhe vazhdon që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit në hetimin e çështjeve të ndryshme që ne trajtojmë”, tha Dumani.

Dumani theksoi se “SPAK tashmë është një institucion i konsoliduar, ka maturinë e duhur, prokurorët kanë integritetin duhur, profesionalizmin e nevojshëm dhe këto janë garancitë që mua më bëjnë shumë optimist për të ardhmen e institucionit. Vlerësoj se ardhmja e institucionit do të jetë shumë e mirë”.

Në përfundim të mandatit të tij, Dumani u shpreh i kënaqur me arritjet e institucionit që ka drejtuar.

“Unë jam një prokuror si gjithë prokurorët e tjerë, të cilit iu dha mundësia në vitin 2022 të drejtoj këtë institucion. Ka qenë vërtet nder për mua ta drejtoj këtë institucion në këto 3 vite shumë intensive dhe të vrullshme. Jo tani si drejtues, por të tillë e kam ndërtuar karrierën time, që nga dita e parë që kam futur këmbët në sistemin e drejtësisë. Jam në vitin e 26 si prokuror dhe kam ushtruar detyrën, gjithmonë i pavarur, kam refuzuar gjithmonë çdo ndërhyrje, nuk i kam dhënë mundësinë askujt të ndërhyjë në punën time. Kam respektuar bindjen time të brendshme dhe gjithashtu jam përpjekur t’i qëndroj besnik ligjit dhe provave”, tha Dumani.

Të martën e ardhshme, ai do t’i dorëzojë detyrën Klodjan Brahos, i cili do të marrë drejtimin e SPAK për tre vitet në vijim.

Share This Article