Një çështje tepër serioze që lidhet me sjelljen dhe veprimtarinë e një punonjësi të Konsullatës Greke në Gjirokastër, me inicialet L.P., ka kaluar tashmë në duart e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë si dhe të Shërbimit të Inspektimit Konsullor.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se institucionet greke janë vënë zyrtarisht në dijeni për një seri veprimesh të papranueshme të punonjësit, përfshirë:
• Ndërhyrje të paligjshme në orientimin e qytetarëve drejt zyrave të caktuara private;
• Pengim të ushtrimit të aktivitetit të rregullt profesional nga zyrat e licencuara të përkthimeve dhe shërbimeve ligjore në jug të Shqipërisë;
• Tentativa për të manipuluar qytetarë, duke ndikuar në mënyrë të padrejtë në zgjedhjen e shërbimeve;
• Përdorimin e telefonit personal për të kryer veprime që bien ndesh me etikën dhe detyrën konsullore;
• Përpjekje për të ndërhyrë te mediat lokale me qëllim fshirjen e lajmeve që pasqyronin situatën.
Sipas informacionit të siguruar, autoritetet greke kanë nisur tashmë procedurat e verifikimit të plotë të rastit, ndërsa pritet që kontrollet e brendshme të zgjerohen edhe me kërkesë të palës së dëmtuar.





