Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot një takim mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, drejtuesve të programeve dhe projekteve që asistojnë këtë institucion, si dhe oficerëve policorë ndërlidhës të atashuar në Shqipëri.
Qëllimi i takimit ishte informimi mbi procesin e riorganizimit të brendshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe përshtatjes së strukturave për t’u përballur me format e reja dhe dinamike të kriminalitetit.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, theksoi se ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e modernizimit dhe forcimit institucional të Policisë.
“Reformat që po ndërmarrim nuk janë vetëm ndryshime strukturore, por një transformim i mënyrës së funksionimit të Policisë së Shtetit. Synimi është forcimi i kapaciteteve profesionale, përmirësimi i reagimit ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe garantimi i një policie më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarit,” u shpreh Proda.
Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen në procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit, duke theksuar se “suksesi në përballimin e sfidave të sigurisë ndërtohet mbi besim, koordinim dhe partneritet të qëndrueshëm”.
Ndryshimet e reja në strukturë u prezantuan nga Drejtoresha e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Drejtues Anisa Duçkollari, e cila sqaroi risitë e propozuara për çdo strukturë.
Ndërkohë, Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, informoi partnerët mbi arsyet e transformimeve në këtë departament, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e misioneve dhe oficerët e kontaktit shprehën kënaqësi për transparencën e procesit dhe për materialet informuese të vëna në dispozicion. Ata gjithashtu konfirmuan gatishmërinë për të kontribuar aktivisht me sugjerime dhe bashkëpunim në fazat e mëtejshme të modernizimit të Policisë së Shtetit.













