Vrasja për kalin, zbardhet dëshmia e autorit: I thashe mos e prek kalin se është i acaruar sot

Jugulajm.net
2 Min Read
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Kala” të Beratit, ku një konflikt banal për një kalë përfundoi tragjikisht me humbjen e jetës së 42-vjeçarit Keli Hoxha.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, ngjarja ka nisur pas një debati të çastit mes 63-vjeçarit Kristo Mema (i njohur edhe me emrin Kontandin Hoxha) dhe viktimës. Mësohet se autori i kishte thënë Hoxhës: “Mos e prek kalin se është i acaruar sot”, pasi ky i fundit kishte prekur me dorë kafshën. Pas kësaj shprehjeje, mes tyre ka nisur një debat i ashpër, i cili përfundoi në tragjedi.

Në dëshminë e dhënë para policisë, autori ka deklaruar se pas paralajmërimit, viktima e ka sharë dhe ofenduar rëndë, çka e ka bërë të humbasë kontrollin. Në gjaknxehtësi e sipër, ai ka nxjerrë thikën që mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka goditur 42-vjeçarin me thikë.

Pas ngjarjes, Mema është larguar nga vendi i krimit, ka lidhur kalin në kasollen e tij, ka marrë disa ushqime dhe është fshehur në një nga shpellat e kalasë, e njohur si “Shpella e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit. Ai u kap disa orë më vonë nga policia.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimës kanë mohuar versionin e autorit, duke deklaruar se konflikti nisi vetëm sepse Keli Hoxha e kishte prekur kalin me dorë. Sipas tyre, “Keli nuk e ka sharë dhe as e ka ofenduar”, por autori e ka goditur papritur, pasi ai i ishte përgjigjur me fjalët: “S’ka asgjë të keqe.”

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme, në ambientet pranë kalasë së qytetit. Viktima nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin Rajonal të Beratit.

Share This Article