Një tubim solidariteti për grevën e urisë shqiptarit Pano Ruçi, babait të Denisit 22-vjeçar i cili u vra në aksidentin hekurudhor në Tempi është zhvilluar këtë të diel në sheshin Syntagma të Athinës.
Qindra njerëz janë mbledhur në vendngjarje. Shqiptari vazhdon grevën e tij të urisë për të 14-ën ditë.
Tubime në solidaritet me të po zhvillohen edhe në qytete të tjera të Greqisë, si në Selanik, Patra, Larisa, Heraklion, Rethymno dhe Serres.

Pak ditë më parë, prokurorja e Larisës pranoi kërkesën e tij për të zhvarrosur të birin me qëllim kryerjen e analizës së ADN-së, pasi 57-vjeçari pretendon se eshtrat e djegura që iu dhanë nga autoritetet nuk i përkasin të birit.

Megjithatë, ai nuk është kënaqur me kaq, duke deklaruar se do të vijojë grevën e urisë derisa të kryhen analizat e duhura për të zbardhur arsyet e vdekjes së djalit të tij.

“Kjo nuk është ajo që dua. Unë do të vazhdoj luftën time, nuk ndalem. Siç e kam thënë që nga dita e parë: ata engjëj të vegjël atje lart duan drejtësi, dhe unë nuk do ta lë kështu. Deri sa gjithçka të bëhet siç duhet,” tha Pano Ruçi.

Në aksidentin e dy viteve më parë, përplasja e dy trenave shkaktoi vdekjen e 57 personave, mes të cilëve edhe 6 të rinj me origjinë shqiptare.




