Nje banor i zonës së Dilanit pranë Selenicës në Tepelenë është 1 nga 4 dëshmitarët që u pyetën nga grupit hetimor i Gjirokastrës për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, një ditë më parë.
Teksa roli i 3 të tjerëve, Eqerem Braçit dhe dy djemve e tij Gazmend e Daniel, është i ditur sipas pretendimeve dhe versionit të tyre të cilët kanë qenë së bashku me biznesmenin italian kur u sulmuan me armë, ajo që nuk dihej ishte fakti përse bariu Armir Hitoveizi, u gjend aty në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pak pas mesnate, në ora 00:30.
Mësohet se bariu Hitoveizi ka një stan rreth 200 metra më tutje vendit që është regjistruar si skenë krimi.
Sipas informacioneve, bariu ka qenë duke udhëtuar me makinë dhe mbeti në rrugë për shkak se i mbaroi karburanti.
Duke qenë se ishte aty pranë, ai ndaloi te vendngjarja, pra rreth 200 metra larg stanit të tij të bagëtive.
Njësoj si dhe familja Braçi, ai deklaroi për hetuesit se pati dëgjuar 3 të shtëna me armë zjarri, të qëlluara nga një person misterioz.




