Nga viti 2026, prindërit në Shqipëri do të përfitojnë nga një skemë e re e zbritjes së tatimeve për shpenzimet e fëmijëve. Ky ndryshim, i përcaktuar në ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, synon të lehtësojë barrën financiare për familjet.
Ndryshimi sjell dy kategori kryesore përfitimi:
- Zbritje për shpenzime arsimi: Prindërit me të ardhura vjetore bruto nën 1.2 milionë lekë do të mund të zbresin 100,000 lekë në vit nga totali i të ardhurave të tyre, pavarësisht numrit të fëmijëve.
- Zbritje për fëmijët në ngarkim: Për çdo fëmijë në ngarkim nën moshën 18 vjeç, çdo prind, pavarësisht nivelit të të ardhurave, do të përfitojë një zbritje prej 48,000 lekësh në vit.
Si funksionon procesi i rimbursimit?
Kjo masë do të rillogarisë tatimin mbi të ardhurat, duke e bërë atë më të ulët për kategoritë përfituese. Për të përfituar, individët duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave personale deri më 31 mars të vitit pasardhës. Pas dërgimit të kërkesës në tatime, shuma e zbritur pritet të rimbursohet pas 3 muajsh.
Kjo reformë synon të ndihmojë financiarisht familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta, duke lehtësuar barrën e shpenzimeve për arsimin dhe rritjen e fëmijëve.




